Katër skuadra, një trofe në lojë. Titulli më i rëndësishëm i futbollit shqiptar pret fituesin. Ekipet më të mira të sezonit premtojnë betejë.
“Në lojë janë katër skuadrat e para, me meritë të plotë. Ato e kanë dominuar kampionatin”, shprehet Shpëtim Duro.
Si njeriu që hodhi themelet e Egnatias që befasoi Superioren, Duro analizoi edhe ekipet që kanë më tepër shanse. Përsëritja e dueleve në gjysmëfinalet e kupës, favorizon edhe në këtë rast Egnatian e Dinamon për të arritur sfidën e titullit në Final Four.
“Egnatia dhe Dinamo janë më pranë titullit. Janë shfaqur si ekipe më të kompletuara. Megjithatë, do të jenë ndeshje të forta ku Partizani e Vllaznia kanë shanse, sepse pretendentët vendosen përballë”, shprehet Duro.
Me një karrierë të lidhur ngushtë me Partizanin, trajneri beson se të kuqtë kanë vetëm një alternativë të mbetur për të shpëtuar sezonin.
“Çuditem kur shoh që te Partizani festojnë për Europën. Këtë objektiv e kam realizuar përpara 10 viteve, kur arritëm kualifikimin e parë. Partizani ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar sezonin: të fitojë titullin Kampion”, shton trajneri.
Edhe pse prej tre sezonesh ka punuar larg Shqipërisë, duke shpallur Strugën dy vjet me radhë kampione të Maqedonisë së Veriut, Duro e ka ndjekur me vëmendje Kategorinë Superiore dhe ka një këshillë për të përmirësuar garën.
“Edhe sezonin e kaluar, edhe këtë vit, pavarësisht se nuk kam qenë në futbollin shqiptar, kjo skemë nuk më ka pëlqyer. Sepse, kjo dashje, padashje, demotivon skuadrat. Tolerime bëhen të pashmangshme. Kjo skemë duhet rishikuar, duhet të ndryshojë me patjetër”, këshillon Duro.