Kombëtarja shqiptare U-15 ka fituar edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Zvicrës, e zhvilluar sot në stadiumin e Vorës. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin minimal 1-0, falë golit të shënuar nga sulmuesi dhe kapiteni Haxhi Rrena.

Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Bastian Brungaj (GK), Drion Ibrahimi, Denis Nikolli, Rian Neza, Albion Muji, Sebastian Sina, Angelos Como, Lorenc Prelala, Haxhi Rrena (C), Fabio Hyseni dhe Gentjan Sharka.

Siç shikohet, titullar nga minuta e parë në këtë ndeshje ka qenë portieri shkodran që luan me Fiorentinën, Bastian Brungaj. Ai ka bërë një paraqitje të shkëlqyer duke neutralizuar disa raste të krijuara në portën kuqezi. Si rrjedhojë kombëtarja jonë falë edhe formës së tij, nuk ka pësuar gol në këtë miqësore.

Kështu në fakt ka ndodhur edhe në miqësoren e para tre ditëve, kur ai luajti në pjesën e dytë dhe sërish skuadra jonë përfaqësuese nuk pësoi gol. Këto janë tregues se Shqipërisë po i vjen një super- portier si Bastian Brungaj.

Aktivizimi tek Akademia e Fiorentinës e ka rritur shumë nga ana profesionale dhe kjo shfaqet edhe tek kombëtarja U15, pjesë e së cilës ai është aktualisht. Kuptohet që e ardhmja e tij duket e sigurtë dhe talentin e tij ai po e shfaq në çdo ndeshje që luan.

Në pjesën e dytë të ndeshjes së sotme është aktivizuar edhe futbollisti tjetër shkodran Erjon Vajushi.