VfB Shtutgart ka re fuzuar një ofertë fillestare me shkrim nga Bajerni i Mynihut për sulmuesin Nik Voltemade të premten në mëngjes. Sipas “BILD”, klubi nga Mynihu ofroi 40 milionë euro plus 5 milionë euro në bonuse. Kampionët rekordmenë të Gjermanisë kanë nevojë për një zëvendësues të Tomas Myler, i cili përfundoi karrierën e tij me Bajernin pas Kupës së Botës për Klube.

Jamal Musiala (22) gjithashtu do të mungojë për një kohë të gjatë pas faullit të rëndë në Kupën e Botës për Klube dhe operacionit në kyçin e këmbës. Në javët e fundit, Bajerni ka bërë të qartë publikisht që janë të vendosur të sjellin Voltemade në Mynih. Drejtori sportiv, Maks Eberl, tha gjatë Kupës së Botës në SHBA: “Ai është një lojtar që po e marrim në konsideratë. Të shohim se çfarë është e mundur”. Megjithatë, Shtutgart e kishte bërë të qartë që prej fillimit të stërvitjes se nuk do ta linte Voltemade të largohej kaq lehtë.

Drejtori sportiv i Shtutgartit, Fabian Vohlgemuth: “Kemi firmosur një marrëveshje afatgjatë me Nik pothuajse një vit e gjysmë më parë. Ajo është ende në fuqi. Prandaj, ne supozojmë se Nik do të vazhdojë të luajë për ne sezonin e ardhshëm dhe do të ketë mundësi të tregojë cilësitë e tij”. Trajneri i Shtutgartit, Sebastian Hoeneb, gjithashtu po llogarit mbi programin e tij për sezonin e ardhshëm: “Unë supozoj se ai do të jetë me ne vitin e ardhshëm.

Ai është me pushime tani dhe do të bashkohet me ne në kampin stërvitor. Është e qartë se ai është një lojtar kyç për ne. Si person edhe si lojtar. Prandaj po planifikoj me të, sigurisht. Ai do të ketë një rol të rëndësishëm për ne”.

Drejtuesit e Bayernit do të donin të takoheshin me zyrtarët e Shtutgartit për të diskutuar transferimin, por skuadra deri tani ka refuzuar. Fakti është se Shtutgart dhe Vohlgemuth janë në avantazh. Kontrata e Voltemade me Shtutgartin zgjat deri në vitin 2028. Megjithatë, ai e ka refuzuar së fundmi një zgjatje me kushte më të mira (2.5 milionë euro në vend të 1.5 milionë eurove të mëparshme). Shtutgart pritet të kërkojë një tarifë transferimi prej 80 milionë eurosh nëse do ta linte Voltemade të largohej. Ata e konsiderojnë ofertën aktuale si shumë të ulët.