Burreli, ashtu si shumica e klube të tjera shqiptare, prej afro një muaji ka vazhduar pushimet, që priten të jenë më të gjata se zakonisht. Sekretari i klubit matjan, Marjan Lleshaj, në prononcimin e djeshëm për “Panorama Sport”, dha disa detaje mbi të ardhmen e klubit, si dhe njoftoi se ekipi do të grumbullohet pas datës 15 korrik.
Gjithsesi, situata te Burreli është e mbushur me shumë pikëpyetje, pasi vetë drejtuesi lajmëroi se do të ketë largime. Pikëpyetjet më të mëdha lidhen me disa nga “shtyllat” e Burrelit të sezonit të fundit. Largimi i kapitenit Florenc Farruku mund të quhet çështje e mbyllur, pasi mbetët të mësohet vetëm destinacioni i ri i sulmuesit. Pikëpyetje ka për të ardhmen e portierit Sinan Dani, pasi 21-vjeçari bëri një sezon të mirë në Burrel dhe matjanët mund të mos i përmbushin kushtet financiare, që mund të jenë më të larta nga klube të tjera.
Edhe qendërmbrojtësi Silvestër Shkalla shikohet në dyshim për të vijuar me matjanët. Por, pikëpyetja më e madhe mund të lidhet me trajnerin Ditmar Bicaj, pasi me atë që ka shpalosur në sezonin e fundit, është shtuar interesi për teknikun lezhjan. Bicaj ka dhënë sinjale vazhdimësie me Burrelin, por nëse klubi vonohet dhe nuk ka projekt ambicioz, gjasat janë që trajneri ta rrisë stekën dhe të nisë një aventurë të re.