Finalja e Champions League, të shtunën më 31 maj, ndaj PSG-së, mund të jetë ndeshja e fundit e Simone Inzaghi-t në krye të Interit. Trajneri italian pritet të transferohet drejt Arabisë Saudite, aty ku Al Hilal ka rritur ndjeshëm ofertën për të, duke i ofruar 50 milionë euro për 3 sezone.

“Sport Mediaset” raporton se tek Inter po pajtohen me idenë e largimit të Simone Inzaghi-t pas 31 majit dhe kanë identifikuar pasuesin ideal të tij. Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio kanë zgjedhur Cesc Fabregas si pasuesin e Inzaghi-t, nëse ky i fundit pranon ofertën e Al Hilal.

Fabregas ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë si trajner në Serie A, ku ka treguar një futboll shumë të bukur dhe cilësor me Como-n. Për spanjollin ka pasur interes nga disa klube, por dëshira e tij ka qenë të vazhdojë akoma me Como-n. Por nëse i vjen mundësia për të drejtuar një klub si Inter, mund të ndryshojë mendje dhe të zgjedh të drejtojë projektin e klubit zikaltër.

Po ashtu një tjetër emër që po përflitet si pasuesi i Inzaghi-t është edhe Max Allegri, megjithëse ish-trajneri i Juventusit po lidhet ditët e fundit dhe me stolin e Napoli-t, ku mund të zëvendësojë Antonio Conten./telesport/