Seria A ka dhe një javë për të luajtur dhe gjithçka mbetet e hapur për titullin kampion, mbijetesën dhe pjesëmarrjen në Champions. Ekziston një skenar për garën në Champions ku i kualifikuari i katërt do të siguronte pjesëmarrjen përmes… monedhës.
Napoli, Interi dhe Atalanta kanë siguruar vendin e tyre. Në garë janë Juventusi, Lacio dhe Roma. Aktualisht “Zonja” ka një pikë më tepër se Roma dhe dy më shumë se Lacio.
Që gjithçka të vendoset nga monedha, fillimisht Lacio nuk duhet të fitojë ndeshjen e tij. Më pas Juventusi duhet të humbasë 3 me 0 ndaj Venecias, ndërsa Roma të barazojë 1 me 1 përballë Torinos.
Roma dhe Juventusi kanë barazuar në përballjet mes tyre. Po ashtu diferenca e golave do të ishte +19 për të dyja skuadrat dhe golat e shënuar 55. Për këtë do të nevojitej shorti, që të vendosej cila prej dy skuadrave zë vendin e mbetur në Champions.
E njëjta gjë do të ndodhte edhe nëse Venecia mposht 4 me 1 Juventusin, ndërsa Roma barazon 2 me 2 ndeshjen e saj. Dhe kështu me radhë. Pavarësisht se skenari duket i pabesueshëm, në Itali po vlerësojnë çdo situatë.