Portugali-Spanjë do jetë finalja e madhe e Ligës së Kombeve për këtë edicion. Pasi Portugalia fitoi mbrëmë 1-2 në “Allianz Arena” ndaj Gjermanisë, Spanja fitoi sot 5-4 ndaj Francës në gjysmëfinalen e luajtur në “MHPArena” në Stuttgart.

Supersfida është zhbllokuar në minutën e 22-të, ku Lamine Yamal pason bukur brenda zonës për Mikel Oyarzabal, ky i fundit asiston për Nico Williams, anësori i Athletic Bilbao dërgon topin në rrjetë.

Një gol shumë i rëndësishëm për 22-vjeçarin duke ditur që ndiqet në merkato nga disa klube të medha si Bayern, Arsenal etj. Tre minuta më pas, ishte radha e Milel Merino për të dyfishuar shifrat pas një topi shumë të bukur të Oyarzabal. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për spanjollët.

Në fillim të pjesës së dytë, Spanja shënoi edhe golin e tretë me Lamine Yamal, nga pika e bardhë e penalltisë, e cila u fitua po vetë nga ylli i Barcelonës, pasi u pengua brenda zonës nga Adrien Rabiot.

Një minutë më pas, në të 55-ën, pas një aksioni të bukur ishte radha e Pedri për të shënuar, pas asistit të mrekullueshëm të Nico Williams. Francezët reagojnë në minutën e 59-të, duke shënuar golin e parë me Mbappe, nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar nga vetë sulmuesi i Realit, i cili u pengua brenda zonës nga Pedro Porro.

Në minutën e 67-të, Lamine Yamal tregon dhe njëherë tjetër klasin e tij të jashtëzakonshëm dhe shënon golin e pestë për Spanjën dhe të dytin personal për këtë takim. Gjithsesi, francezët nuk u dorëzuan dhe reaguan në mënyrën që pritej.

Në minutën e 78-të, Franca shënon golin e dytë me Rayan Cherki, 21-vjeçari shënoi një gol shumë të bukur me një goditje fluturimthi pas asistit të Mbappe. Në minutën e 83-të, Dani Vivian i futur pak minuta më parë në fushë për Spanjën, shënon autogol, pas topit të futur në zonë nga Malo Gusto. Në minutën e 94-të, Franca shënon golin e katërt me Kolo Muani, i cili dërgon topin me kokë në rrjetë, pas super krosimit të Cherki.

Franca kujtohet vonë dhe nuk ka më kohë, Spanja fiton përfundimisht 5-4 dhe tani e pret një tjetër supersfidë, finalja ndaj Portugalisë.

SHIKOGOLAT