Mads Pedersen është fituesi i etapës së parë të Giro d’Italia, Durrës-Tiranë, 160 kilometra e gjatë. Çiklisti danez i skuadrës Lidl-Trek, kampion bote më 2019, dominoi sprintin dhe fiton rrotë më rrotë me Wout Van Aert dhe Aular, të cilët plotësuan podiumin.

Është fitorja e 51-të në karrierë për danezin, që i përshkoi 160 kilometrat e etapës së parë për 3 orë, 36 minuta e 24 sekonda. Pas 70 kilometrave fushorë erdhi malorja e parë, në Gracen, me pjerrësi mesatare 5.2 % , ndërsa malorja përcaktuese ishte ajo e Surrelit, e kategorisë së tretë, me gjatësi 4.9 kilometra, me pjerrësi mesatare 5.4% dhe maksimale 13%, ku skuadra e Lidl Trek bëri një punë të mirë për t’i siguruar kryesimin fituesit të garës.

Në kilometrin e pestë ndodhi edhe incidenti i parë i xhiros, kur basku Mikel Landa u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe u rrëzua, duke shkaktuar edhe rrëzimin e tre çiklistëve të tjerë më pas. Landa u dërgua në spital me frakturë dhe për të xhiroja ka marrë fund.

Të shtunën, Xhiroja vazhdon me etapën e dytë, të kronometrit, në rrugët e Tiranës, 13.7 kilometra.