Arbnor Muja ka kaluar këtë sezon në hije, i lënë shpesh në harresë në radhët e Samsunspor dhe i aktivizuar edhe jashtë pozicionit të tij normal në fushën e lojës.
Por atëherë kur ishte nevoja, sulmuesi la shenjën e tij duke e bërë sezonin e klubit turk historik me kuptimin e plotë të fjalës.
Goli i tij në minutën e 98-të i dha suksesin 2-1 ndaj Kajzerispor e vendin e tretë në kampionat, duke e kualifikuar klubin në play-off të Ligës së Europës, që garanton minimalisht pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës. Për një klub i cili eksperiencën në Europë e ka vetëm në kupën Intertoto në vitet 1997-1998, padyshim kjo është arritja më e madhe historike.
Një arritje jo vetëm thjesht sportive, pasi siguron miliona euro, ashtu si edhe prania në Superkupën e Turqisë. Turneu në fjalë, njihte si pjesëmarrës Gallatasarajn si fitues i kampionatit dhe Kupës, Trabzonsporin si finalist të Kupës dhe Fenerbahçen si vendi i dytë në renditjen e kampionatit. Goli i Mujës bëri që Samsunspor të kalonte Beshiktashin për vendin e tretë në renditje dhe të shkonte kësisoj në katërshen e Superkupës. Një tjetër arritje për të cilën të gjithë meritat i ka marrë pikërisht sulmuesi shqiptar.