Kështu dhemb vërtet! E vërteta është se nuk ka përfunduar ende gara e titullit në Serie A, distanca me Napolin mbetet e pandryshuar, por… dhemb, dhemb shumë, sepse në luhatjen e pabesueshme të javës së parafundit, Interi ishte përpara Napolit deri në minutën e 90-të.

Goli i barazimit nga Pedro heshti “San Siron” dhe bëri të pavlefshme lajmet e shkëlqyera që vinin njëkohësisht nga Parma, ku skuadra e Contes ishte ndalur në barazim. 90 minuta nga fundi, Napoli mbetet një pikë përpara dhe ka mundësinë për ta mbyllur gjithçka në shtëpi ndaj Cagliarit, ndërsa Interi do të luajë në fushën e Comos.

Sigurisht, Interi nuk zhvilloi një ndeshje të madhe, por bëri të vetën, duke u mbështetur më shumë te forca nervore sesa teknika. Edhe pasi u “kap mat” për herë të parë nga Lazio, arriti të reagojë dhe të kalojë sërish në avantazh.

Epërsi që duhej mbrojtur me “thonj e dhëmbë”, por që u zhduk nga faulli (prekja me dorë) i Bisseck, i njëjti lojtar që në fund të pjesës së parë kishte shpërthyer gëzimin në stadium. Futbolli jep dhe futbolli merr, por këtë herë balanca anon qartësisht nga ana negative.

Lazio bëri lojën e vet, pa frikë, në kërkim të pikëve që do ta mbanin ende në lojë për zonën Champions. Në fund, barazimi nuk kënaqi asnjërën skuadër, por sigurisht lëndon shumë më tepër Interin, që po e prekte ëndrrën e titullit dhe pa gjithçka të avullohej në mënyrën më të pabesueshme.

Tani gjithçka do të vendoset në 90 minutat e fundit, asgjë nuk është përfundimisht e humbur, por shumëçka është komprometuar. Edhe një herë tjetër, Interi i gjunjëzuar nga goditjet e bardhekaltërve, mbeti me shijen shumë të hidhur të zhgënjimit.

Tani, Inzaghi duhet të tregojë force; të riprogramojë gjithçka, ta ringrejë moralisht skuadrën, sepse është ende një Champions për t’u siguruar. Pra, nuk ka kohë për t’u qarë./telesport/