Transferimi i Theo Hernandez-it drejt Al Hilal-it është praktikisht i kryer dhe mungon vetëm zyrtarizimi. Nga Arabia Saudite pritet konfirmimi përfundimtar, por tashmë shenjat janë të qarta: mbrojtësi francez është drejt fundit të aventurës së tij te Milani. Një tjetër dëshmi e kësaj është edhe postimi emocional i Rafael Leaos në rrjetet sociale, ku i thotë lamtumirë shokut të skuadrës.

Ky ishte mesazhi i publikuar nga sulmuesi portugez:

“Vëllai im, shoku im i shumë betejave… kemi kaluar së bashku momente të bukura dhe të vështira, por ishte kënaqësi të ndanim fushën dhe dhomat me ty, vëllai im. Të uroj gjithë fatin e botës në këtë fazë të re. Do të më mungosh shumë, sepse vit pas viti u bëre një person i rëndësishëm për mua. Nuk duhej të mbaronte kështu, por jeta është e mbushur me sfida. Fat të mbarë në rrugëtimin tënd të ri – gjithmonë do të jem tifozi yt dhe yni! THEAO.”

Kalimi i Theos tek Al Hilal, skuadër e drejtuar nga Simone Inzaghi, është fryt i një marrëveshjeje të hapur prej disa javësh. Fillimisht, francezi nuk ishte i bindur për një aventurë në Arabinë Saudite, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe dha miratimin për transferimin në Saudi Pro League.

Marrëveshja mes Milanit dhe klubit saudit është në fazën përmbyllëse, dhe kuqezinjtë do të përfitojnë 25 milionë euro nga kjo shitje. Theo u përjashtua nga lista e grumbullimeve të trajnerit Massimiliano Allegri për fillimin e fazës përgatitore, një tjetër sinjal i qartë për një largim të afërt.

Kështu mbyllet kapitulli i gjatë i Theo Hernandez te Milani, ku që nga ardhja nga Real Madrid ka zhvilluar 262 ndeshje, ka shënuar 34 gola dhe ka dhënë 45 asistime, duke qenë një prej lojtarëve më vendimtarë të viteve të fundit për klubin kuqezi.