Franko Burraj rikthehet sërish tek rekordet. Atleti i Vllaznisë në garat e Kupës së Shqipërisë të zhvilluara para dy ditësh në Shkodër, ka bërë një paraqitje fantastike duke arritur kohën 46:14, me të cilën ka vendosur edhe një rekord të ri në disiplinën e 400 metrave. Një start i mbarë para disa garave të tjera të rëndësishme dhe ku padyshim që ai do të tentojë ta thyejë sërish këtë rekord.
Në një prononcim të shkurtër të dhënë për mediat, ai është shprehur se nuk e priste një rezultat të tillë në këtë garë sepse priste që rekordi të vinte pak më vonë, por gjithsesi ka shprehur kënaqësinë e tij për arritjen e tij.
“Realisht nuk e prisja, sepse jemi akoma në fazën përgatitore dhe nuk është se futesha për ndonjë rekord në Kupë, pavarësisht se isha afruar shumë në garën që pata më 1 maj në Malin e Zi. Edhe koha nuk ishte shumë në favor për rekord, por ndodhi dhe natyrisht jam shumë i gëzuar, sepse duke qenë se vjen kaq herë dhe në një moment kur forma nuk është maksimale, besoj që në qershor do të kem një rezultat edhe më të mirë.
Shpresoj që ta përmirësoj përsëri rekordin në garat e ardhshme, pasi kemi kompeticione më të rëndësishme. Në Shqipëri është e vështirë që të thyesh rekord, duke qenë se nuk ka konkurrencë, ndërsa në garat ndërkombëtare le të themi që rekordi vjen pak më kollaj, për shkak të rivalitetit në pistë. Kështu që shpresoj që këtë vit ta ul kronometrin nën pragun e 46 sekondave, duke e zbritur në 45.
Natyrisht që ka emocione, sepse shumë njerëz të afërm vijnë dhe të ndjekin në garë. Nuk mund të dalësh nga pista në Shkodër pa një rekord apo pa një vend të parë dhe duhet të bësh maksimumin gjithmonë.
Tani kemi përpara dy kampionate të rëndësishme, si Europiani, për të mbledhur pikë për ekipin Kombëtar, gjithashtu edhe është Kampionati Ballkanik dhe më vonë në Tokio do të jetë Kampionati Botëror. Në këto gara do të futem për të thyer përsëri rekordin, pra për ta çuar në 45 sekonda. Në Ballkanik për shumë vitesh kam qenë pranë medaljes së artë, duke u renditur në vend të dytë apo të tretë dhe me këtë rezultat që arrita shpresat janë të mëdha që të jem përsëri medalist, duke synuar të artën. Natyrisht më pas objektiv është që të kualifikohem për në Botëror”- ka thënë Burraj.(www.shkodrasport.com)