Nga Endri ÇINARI

Kur do edhe një javë që të mbyllet faza e dytë e Superligës për sezonin 2024-25 dhe konkterisht gjysma e edicionit, duket se ekipet kanë filluar të “ndahen”. Fitorja e ditës së djeshme e Vllaznisë ndaj Elbasanit në shifrat 1-2, i ka dhënë një “goditje” shpresave të verdhebluve për të shpresuar për një vend në “final 4” në fundin e edicionit.

Pavarësisht se sezoni është ende i gjatë dhe ka shumë ndeshje përpara, katërshja e parë duket disi e shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrave. Kështu Vllaznia që aktualisht ndodhet në vendin e katërt, pozicioni i fundit që të dërgon në “play off” qëndron 7 pikë sipër Elbasanit të vendit të pestë pas 17 javësh kampionat. Me kuqeblutë konkretisht në kuotën e 28 pikëve.

Dhe elbasansit që duken se janë “larg” në kuotën e 21 pikëve. Po ashtu në pozicione “komode” momentalisht duken edhe skuadrat e tjera të katërshes si: Egnatia, Partizani dhe Dinamo. Me të gjitha ekipet që kanë një distancë “sigurie” me skuadrat që vijnë nga vendi i pestë dhe poshtë.

Në këtë mënyrë duket se “final 4” ka marrë “formë” që në gjysmën e kampionatit. Me skuadrat e 4-shes së parë që do kenë ambicie të tjera. Kjo për të arritur në dy vendet e para të klasifikimit, pozicione që të lejojnë “luksin” e barazimit në ndeshjen e parë të “play off” që është patjetër një avantazh në fundin e edicionit./www.shkodrasport.com/