Nga Endri ÇINARI

Nëse tek Vllaznia nuk kishte sukses përsa i përket fitimit të trofeve në sezonin 2024-25, tek shkodranët kishin me çfarë të “gëzoheshin” këtë edicion. Kjo pasi tek kuqeblutë spikatën dy elementë të rinj, të cilët arritën të shfaqnin vlerat e tyre. Ndoshta të aktivizuar në “emergjencë” për shkak të dëmtimeve të titullarëve të zakonshëm të skuadrës.

Por që patjetër e justifikuan me paraqitjet e tyre në fushën e lojës. Fjala është për Kevin Dodajn dhe Aron Jukajn, të dy futbollistë edhe të kombëtares shqiptare U-21. Si sulmuesi dhe portieri ishin nga të rinjtë më të spikatur të kampionatit shqiptar. Madje duke u shndërruar edhe shumë të rëndësishëm për Vllazninë.

Ku Dodaj e mbylli sezonin me 6 gola të shënuar në kampionat e tashmë 19-vjeçari kap një shifër vlere prej 500 mijë eurosh në merkato. Duke qenë kështu lojtari më i shtrenjtë tek Vllaznia. Po ashtu edhe Jukaj që nga dhjetori i vitit të shkuar u shndërrua në titullar pas dëmtimit të Qarrit. Por që nga ai moment, portieri ka njohur vetëm rritje dhe pritet të ketë besimin e stafit teknik edhe në sezonin që vjen.

Dy elementë që kanë ardhur rishtazi nga akademia Vllaznia dhe patjetër që bën krenar të gjithë në klub. Ku nuk duan të ndalen vetëm me këtë dyshe, pasi synim është edhe promovimi dhe evidentimi i të tjerë futbollistëve që mund të jenë të rëndësishëm për 9 herë kampionët e vendit.