Trajneri i Nome Kalju, Nikita Andrejev, është shfaqur mjaft optimist në fjalët e tij për mediat para ndeshjes së kthimit të Ligës së Konferencës ndaj Partizanit.

Tekniku i skuadrës estoneze, ka theksuar se ekipi i tij nuk i frikësohet atmosferës së zjarrtë në stadiumin “Air Albania” dhe pret që ekipi i tij të kalojë në turin tjetër.

“Pas ndeshjes së parë kemi më shumë ide rreth kundërshtarit dhe mendojmë se ndeshja e dytë do të jetë pak më ndryshe. Partizani luan në shtëpi, por kemi planin tonë dhe do të mundohemi ta ndjekim, do ta shohim nesër.

Jemi të kënaqur me paraqitjen e rezultatet dhe nesër jemi optimistë që do kalojmë në turin e dytë, mendoj se ndeshja e dytë nuk do të jetë e ndryshme dhe do të mundohemi të ndjekim idetë tona. Nesër do të jetë 90 apo 120 minuta, por gjithçka do të vendoset aty.

E kam thënë që para ndeshjes së parë se të gjithë skuadrat ballkanase janë të vështira e forta, sidomos kur luajnë në shtëpi. Ne jemi në veri, Partizani në jug, kemi skuadër të re, por me eksperiencë që të luajë në atmosfera të ndryshme dhe mendoj se nesër do të shohim futboll të mirë. Mendoj se gjeografia në ndeshjen e nesërme nuk do të jetë diferenca e madhe mes ekipeve. Do të shohim futboll mes dy skuadrave të mira.

Nuk kemi frikë nga asgjë, do të donim që të luanim me stadium plot dhe të fitonim, nuk është problem. Jemi përshtatur me klimën dy ditë këtu dhe është temperaturë e mirë, koha është e freskët. Kthimi i Isgandarli? Ne jemi përgatitur që në ndeshjen e parë, kemi analizuar të gjithë lojtarët”, tha ai.