Ekipi i Burrelit prej një jave ka nisur zyrtarisht merkaton e verës ku skuadra është grumbulluar duke zhvilluar stërvitjen. Trajneri i ekipit, Samuel Nikaj, i rikthyer pas disa vitesh në drejtim të skuadrës matjane, thotë se nuk e kishte të vështirë të pranonte ftesën për ta drejtuar këtë ekip, pasi ka patur një eksperiencë shumë të veçantë gjatë kohës që e ka drejtuar kohë më parë.
Nikaj thotë se qëllimi mbetet ndërtimi i një skuadre dinjitoze që jo vetëm të përballojë garën e fortë në kategorinë e parë por me synim për më lart.
Nga ana tjetër tekniku Nikaj tha se aktualisht janë afruar shumë lojtarë pranë “Burrelit”, mes tyre edhe cilësorë që janë premtues. Megjithatë, sipas numrit një të pankinës matjane, merkatoja e verës vijon dhe se përzgjedhjet e lojtarëve do të bëhen gradualisht.
Ndërkohë mësuam se, në ditët vijim seancat stërvitore do të vijnë duke u ngjeshur dhe se stafi gjatë kësaj kohe duhet të përzgjedhë përfundimisht lojtarët që do të veshin fanelën e Burrelit për sezonin 2025 – 2026 të kategorisë së parë në futboll.