Nga Maringlen ZHIVANI

Gerald Kubazi dhe Ensar Tafili luajtën ndeshjet e tyre të para në Europë. Atyre iu besuan minuta në fushën e lojës, teksa Vllaznia po luante në transfertën e Letonisë, që përfundoi me rezultatin 2-4 në fund në favor të kuqebluve. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Edmond Doçi, trajneri i ekipit U-21, është një nga ata që Kubazin dhe Tafilin i ka patur në drejtimin e tij dhe i njeh mjaft mirë si futbollistë.

Po ashtu, Doçi shprehu emocione edhe për shitjen e talentit Kevin Dodaj, të cilin e ka patur nën drejtimin e tij me grupmoshën U-17, atëherë kur ky ekip ia doli të shpallej kampion. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Doçi, Kubazi dhe Tafili, dy futbollistët tuaj që aktivizohen në Europë, si ndiheni?

Normalisht që, ndihemi mirë kur shohim futbollistët e Akademisë që luajnë në ndeshjet e Kupave të Europës, ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar me Dodajn. Vllaznia po bën mirë që po kthen kokën nga futbollistët e rinj dhe normalisht që po e justifikojnë aktivizimin.

-I dhanë shkëndijat e para këta futbollistë?

Po, duke e parë lojën që zhvilluan mund të them që e justifikuan plotësisht, sidomos i dhanë shumë efikasitet zonës ofensive. Ne i njohim cilësitë që kanë si Tafili, poashtu edhe Kubazi dhe këto cilësi i treguan më së miri.

-Cilat janë hapat e rradhës që ju këshillon futbollistëve të rinj për t’u bërë titullarë të rregullt?

Po, normalisht ka shumë gjëra për të qenë një futbollist i mirë. Duhet të stërviten pafund, të mbajnë regjim dhe nuk duhet të kenë frikë të gabojnë, por gabimet t’i kthejnë në mësim dhe gjëja më kryesore që mendoj unë, është që në ekipet e moshave duhet të ketë gjithmonë futbollistë cilësorë, pasi konkurrenca mes njëri-tjetrit, bën që futbollistët ta rrisin nivelin e lojës së tyre.

-U shit edhe Dodaj, si ndiheni?

Për shitjen e Dodajt, normal që ndihem i gëzuar, por edhe krenar për atë që i dha klubit të zemrës dhe vazhdimin e suksesit me klubin ku do shkojë. Normalisht që, puna e një trajneri moshash është e vështirë, sepse ke në dorë përgatitjen dhe vendosjen e pozicionit, ku një futbollist do japin më të mirë. Unë mendoj që për Dodajn, çdo gjë deri tani ka shkuar ashtu si duhet. Do ndihesha edhe më mirë kur ta shikoj Kevin të jetë golashënuesi i skuadrës që luan, sepse ashtu jam mësuar ta shoh edhe kur stërvitej te Akademia. Poashtu, kam edhe një kënaqësi të dyfishtë, pasi Dodaj mbajti numrin 22, numri që unë kisha kur luaja për Vllazninë.

-Cilat janë cilësitë që e veçojnë Dodajn?

Cilësitë e Dodajt sa vijnë e dalin edhe më në pah. Dodaj ka diçka, dikur kemi thënë që sulmuesit nuk vrapojnë shumë. Kjo nuk vlen për Dodajn, pasi gjithmonë në normat që kemi bërë, ishte ndër më të mirët si në shpejtësi, poashtu edhe në rezistencë. Pastaj, ka edhe atë që ia ka falur Zoti, qetësinë para porte, por edhe guximin për të hyrë në driblim çdo kundërshtari që ka përpara sado i fortë që të jetë kundërshtari. Pastaj, edhe në jetën sociale, me shokët e ekipit është pozitiv dhe e rrespektojnë të gjithë dhe i rrespekton të gjithë.

-Si e shikon të ardhmen e Dodajt tashmë pas transferimit te CSKA Sofia?

Po, e ardhmja normalisht që duket e mirë, por Dodaj duhet të vazhdojë të punojë shumë për të arritur objektivat që ka, në mënyrë që nesër apo pasnesër ta shohim në Kombëtaren A.