Ardon Jashari dhe Milan mesa duket nuk do të kryhet si “operacion” këtë merkato. Edhe pse Igli Tare ka dërguar ofertën e fundit që kap plot 38 milionë euro, duket se klubi belg nuk është i bindur për të lënë Jasharin të lirë.

Së fundmi, drejtori sportiv Dave Rigo dhe shefi ekzekutiv i Club Brugge, Bob Madou i kanë dhënë një mesazh të qartë Milanit dhe Igli Tares. Sipas drejtuesve, Jashari do të qëndrojë në Belgjikë.

“Bisedimet me Milanin janë në vendnumëro. Ata e dinë këndvështrimin tonë. Ne besojmë se cikli i Ardonit në klubin tonë nuk ka përfunduar, sipas mendimit tonë, sot nuk ka asgjë në tavolinë që mund të përbëjë përjashtim.

Me respektin më të madh ndaj atij që është në mënyrë të pakundërshtueshme një nga lojtarët tanë më të mirë, por nuk mundesh thjesht të dalësh nga dera këtu.

Ne jemi të bindur se Ardoni do të bëjë një transferim të madh, por vetëm kur të jetë momenti i duhur për të gjithë dhe sot kjo nuk është për ne. Ne supozojmë se ai do të qëndrojë”, ishte mesazhi i qartë nga drejtuesit e Club Brugge.