Giovanni Branchini, agjent i njohur i tregut të futbollit, ka rrëfyer për “Relevo” prapaskenat e transferimit të Ronaldo “Fenomenit” nga Barcelona tek Interi në vitin 1997. Ai e cilëson si një histori të ndërlikuar, që nisi me insistimin për të përfshirë një klauzolë largimi në kontratën e Ronaldos, një risi në atë kohë, për ta mbrojtur lojtarin nga ndonjë bllokim i mundshëm nga klubi.
Pasi Ronaldo shpërtheu me paraqitje mbresëlënëse, Barcelona u përpoq të rinovonte kontratën duke hequr klauzolën, por negociatat përfunduan pa sukses për shkak të tensioneve në takimet vendimtare.
Branchini kujton se drejtuesit e Barcelonës nuk respektuan marrëveshjen dhe tregon se Ronaldo ishte i informuar për çdo hap, duke dhënë menjëherë miratimin për transferimin tek Interi.
Ai e përshkruan sjelljen e Barcelonës si të pamatur dhe të mbështetur mbi një ndjesi të paprekshmërisë, veçanërisht në lidhje me të drejtat e imazhit dhe çështjet fiskale, që sipas tij sollën probleme të shumta për klubin.