Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mori një triumf në shifrat 2-1 ndaj Dinamos në gjysmëfinalet e kampionatit, duke siguruar kështu finalen e 12 majit për edicionin 2024-25. Por pavarësisht suksesit dhe gëzimit pas 90 minutave, ajo që shqetëson tek kuqeblutë është gjendja fizike e dy titullarëve të skuadrës. Fjala është për Ardit Deliun dhe Erdenis Gurishten, që shfaqën probleme gjatë 90 minutave.
I pari u zëvendësua në minutën e 41-të të takimit nga ana e Sales. Ku pas një përplasje në mesfushë, ish-futbollisti i Tiranës nuk ishte në gjendje të vijonte lojën.
Ku doli nga fusha duke çaluar dhe në festimet e ekipit pas vërshëllimës së gjyqtarit nuk u pa shumë i përfshirë. Kjo për shkak të këmbës që nuk e lejonte të ishte edhe aq entuziast sa pjesa tjetër e skuadrës. Po ashtu edhe Gurishta në 10 minutat e fundit të ndeshjes sakrifikoi duke qëndruar në fushë i dëmtuar.
Kjo pasi shkodranët i kishin mbyllur zëvendësimet dhe mbrojtësi i djathtë pavarësisht dhimbjeve, vendosi të qëndronte në fushë duke mos preferuar ta linte skuadrën me 10 futbollistë. Gjendja e të dy lojtarëve do shihet në ditët në vijim, pasi tek shkodranët patjetër duan t’i kenë nën dispozicion dy prej elementëve kryesorë të formacionit.(www.shkodrasport.com)