Fitorja e “Nations League” 2025 me Portugalinë nuk është vetëm një triumf për vendin e tij, por përfaqëson edhe një tjetër gur të çmuar në “palmaresin” tashmë të jashtëzakonshëm të Cristiano Ronaldos. Me këtë sukses të fundit, fenomeni portugez e forcon edhe më shumë pozicionin e tij mes futbollistëve më të suksesshëm të të gjitha kohërave, duke arritur tashmë rreth 35 trofe madhorë, të fituar mes klubeve dhe kombëtares.
Karriera e tij është një koleksion i vërtetë suksesi, që nisi në vendlindje me Sporting CP, për të shpërthyer më pas në skenën ndërkombëtare. Me Manchester United, Ronaldo shijoi triumfet e tij të parë të mëdhenj, përfshirë Champions League dhe tre tituj të Premier League. Kalimi te Real Madridi shënoi një epokë dominimi absolut, me katër Champions League, dy La Liga dhe disa Kupa Bote për Klube, duke e vulosur legjendën e tij.

Edhe në Itali, me fanellën e Juventusit, nuk munguan sukseset: dy “scudetto”, një Kupë Italie dhe një sërë rekordesh personale që pasurojnë më tej CV-në e tij. Në aventurën e tanishme me Al-Nassr, në Arabinë Saudite, Ronaldo ka ngritur Kupën Arabe të Kampionëve, duke treguar se uria e tij për fitore nuk njeh kufij gjeografikë.
Pikërisht me kombëtaren portugeze, Cristiano Ronaldo ka realizuar disa nga ëndrrat më të mëdha të karrierës. Triumfi në Kampionatin Europian 2016 ishte historik, pasuar nga fitorja e edicionit të parë të “Nations League” më 2019 dhe së fundi suksesi i dytë në këtë kompeticion, në vitin 2025. Këto arritje me kombëtaren janë dëshmi e udhëheqjes, qëndrueshmërisë dhe ndikimit historik të Ronaldos për Portugalinë./telesport/