Sezoni i parë i Ligës ë Kampioneve me formatin e ri sapo u mbyll, por që para finales me Interit dhe PSG-së, është vendosur për një ndryshim i cili do të hyjë në fuqi për edicionin e ardhshëm. Klubet pretendonin në UEFA që finalja ndoshta mund të kishte qenë e ndryshme me rregullin e ri që hyn në fuqi.
UEFA ka vendosur rregullin e ri për fazën me eliminim direkt, me sistemin tenistik për të shpërndarë tetë skuadrat që dalin të parat në fazën e turneut me tabelën e renditjes të përbashkët. Por edicioni aktual, nuk i garantonte skuadrave të tetëshes së parë, me përjashtim të turit 1/16, avantazhin e fushës në turet pasardhëse, që të luanin ndeshjen e kthimit në stadiumin e tyre.
Kësisoj, në gjysmëfinalet e turneut, u regjistrua rastësia e çuditshme ku shorti i buzëqeshi Interit dhe PSG-së, që luajtën ndeshjet e kthimit në fushën e tyre përkatësisht ndaj Barcelonës dhe Arsenalit të cilët ishin renditur më mirë se ata. Kësisoj, me mbështetjen e tifozerisë, ata kishin një armë më shumë në dispozicion dhe ia dolën të siguronin finalen e madhe.
Tani UEFA ka vendosur që në fazën me eliminim direkt, do të jetë gjithmonë skuadra me renditjen më të mirë në grupin e përbashkët ajo që do të gëzojë faktorin fushë. Ndërkohë, nuk është miratuar propozimi që në turet e para të fazës me eliminim direkt, deri në çerekfinale, të shmangen përplasjet mes skuadrave të të njëjtit shtet