Louis van Gaal, ish-trajneri i Manchester United, ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj mënyrës se si po menaxhohet klubi nga “Old Trafford” aktualisht. Ai ka deklaruar se nuk e konsideron më një “klub futbolli”, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Holandezi, i cili kaloi dy sezone në stolin e “Djajve të Kuq” dhe fitoi një “FA Cup” me ta, mendon se klubi është larguar gjithnjë e më shumë nga identiteti i tij i dikurshëm. Sipas Van Gaal, Manchester United është tepër i fokusuar në suksesin komercial, një prioritet që, sipas tij, ka dëmtuar ambiciet sportive dhe e ka bërë klubin jo konkurrues për tituj të mëdhenj.

“Manchester United është ende një klub komercial, nuk është klub futbolli. E kam thënë edhe më parë, është gjithmonë e vështirë. Kur nuk është trajneri ai që vendos cilët lojtarë duhen blerë, bëhet shumë e vështirë.

Pastaj e shkarkon trajnerin sepse nuk merr rezultate. Kur janë të tjerë që blejnë lojtarët, atëherë ke një problem. Duhet të kesh njohuritë dhe miratimin e trajnerit, sepse ai do t’i stërvisë ata”, – tha trajneri i njohur për “Sky Sports”.

Van Gaal përmendi si shembull pozitiv Liverpool-in, ku trajneri ka ndikim real në vendimet e merkatos: “Te Liverpool-i, Arne Slot është ai që i thotë drejtorit të tij sportiv: Duhet të blesh këtë lojtar. Ki kujdes për këtë tjetër. Kështu duhet të funksionojë një klub futbolli”./telesport/