Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia është skuadra që e ka humbur disi të qenit ekip autokton dhe në të gjitha kampionatet, është munduar të bazojë grupin edhe tek të huajt apo edhe futbollistët “jabanxhinj”, siç konsiderohen në Shkodër. Në total, që pas krijimit të ekipit të futbollit, te Vllaznia janë federuar 132-futbollistë që nuk kanë pasur pasaportën shqiptare, por kanë luajtur me një pasaportë të huaj.
Kuqeblutë kanë marrë lojtarë në pothuajse të gjitha kontinentet, teksa janë 35-shtete që kanë furnizuar Vllazninë me futbollistë. Në fakt, nga vëzhgimi i bërë nga “Shkodra Sport”, ka edhe vende që nuk të shkon mendja se kanë marrë futbollistë nëntë herë kampionët e vendit. Për t’u ndalur te vëzhgimi, Mali i Zi është vendi që ka marrë më shumë lojtarë ekipi i Vllaznisë, plot 23-futbollistë.
Në vend të dytë është Maqedonia e Veriut, ndërsa podiumin e mbyll Brazili i largët. Një tjetër komponent, i nxjerrë nga ky vëzhgim, është fakti që shteti me më shumë ndeshje te kuqeblutë është përsëri Mali i Zi, futbollistët e të cilit kanë 633-ndeshje me Vllazninë. Më pas, vjen Kosova në vendin e dytë, ndërsa në vendin e tretë Maqedonia e Veriut. Duam apo nuk duam, golat e të huajve me fanellën kuqeblu janë nën shenjën e Brazilit, me plot 44-rrjeta të tundura.
Në vendin e dytë është Kroacia dhe më pas Bosnje-Hercegovina, me sulmuesin Haris Dilaver, që ka shënuar 15-gola për Vllazninë. Futbollisti me më shumë ndeshje nga të huajt është Bojan Zogoviç. Me fanellën e Vllaznisë, malazezi ka luajtur 125-sfida, duke qenë futbollisti më i aktivizuar. Më pas, vjen portieri tjetër malazez Miroslav Vujadinoviç dhe treshen e mbyll Mevlan Adili. Sa i takon trajnerëve të huaj, Vllaznia ka pasur shtatë.
Kështu, duke filluar nga trajneri i parë i historisë kuqeblu dhe më i suksesshmi, pasi ishte ai që solli titullin kampion për herë të fundit, Dervish Haxhiosmanoviç. Më pas janë emra si Ulrish Shulze, Mojash Radonjiç, Baldo Raineri, Mirsad Jonuz, Thomas Brdariç dhe Goçe Sedloski. Trajnerët janë malazezë, gjermanë, italian dhe maqedonas.
Klasifikimi i futbollistëve të huaj:
- Mali i Zi 23-futbollistë / 633-ndeshje / 23-gola
- Maqedonia e Veriut 16-futbollistë / 293-ndeshje / 14-gola
- Brazili 13-futbollistë / 263-ndeshje / 44-gola
- Kosova 11-futbollistë / 301-ndeshje / 19-gola
- Kroacia 9-futbollistë / 242-ndeshje / 38-gola
- Serbia 8-futbollistë / 163-ndeshje / 8-gola
- Nigeria 4-futbollistë / 51-ndeshje / 0-gola
- Gana 4-futbollistë / 33-ndeshje / 3-gola
- Gjermania 4-futbollistë / 2-ndeshje / 2-gola
- Zvicra 3-futbollistë / 14-ndeshje / 0-gola
- Bosnje-Hercegovina 3-futbollistë / 141-ndeshje / 25-gola
- Moldavia 2-futbollistë / 23-ndeshje / 3-gola
- Uruguai 2-futbollistë / 31-ndeshje / 14-gola
- RD Kongo 2-futbollistë / 9-ndeshje / 0-gola
- Suedia 2-futbollistë / 3-ndeshje / 0-gola
- Rumania 2-futbollistë / 21-ndeshje / 5-gola
- Italia 2-futbollistë / 13-ndeshje / 1-gol
- Guinea 1-futbollist / 17-ndeshje / 0-gola
- Zambia 1-futbollist / 4-ndeshje / 0-gola
- Paraguai 1-futbollist / 8-ndeshje / 1-gol
- Senegali 1-futbollist / 30-ndeshje / 2-gola
- Andorra 1-futbollist / 5-ndeshje / 0-gola
- Togo 1-futbollist / 14-ndeshje / 0-gola
- Libani 1-futbollist / 6-ndeshje / 1-gol
- Kongo 1-futbollist / 1-ndeshje / 0-gola
- Kenia 1-futbollist / 9-ndeshje / 5-gola
- Republika Çeke 1-futbollist / 1-ndeshje / 0-gola
- Uganda 1-futbollist / 9-ndeshje / 0-gola
- Gaboni 1-futbollist / 3-ndeshje / 0-gola
- Franca 1-futbollist / 4-ndeshje / 0-gola
- Ukraina 1-futbollist / 2-ndeshje / 0-gola
- Kameruni 1-futbollist / 4-ndeshje / 0-gola
- Anglia 1-futbollist / 7-ndeshje / 0-gola
- Benin 1-futbollist / 0-ndeshje / 0-gola
- Argjentina 1-futbollist / 0-ndeshje / 0-gola