Në prag të ndeshjes Shqipëri–Serbi, protagonisti i sfidës historike në Beograd, Bekim Balaj, ndau emocionet dhe përjetimet e asaj mbrëmjeje të paharrueshme. Ai theksoi se përballja e radhës ka një tjetër peshë dhe rëndësi.
“Është një ndeshje që gdhendet dhe mbetet në mendjen e të gjithëve. Mund të them, në rrethanat që ishim, djemtë bënë maksimumin. Dhe pse ishim të pakët në numër, nuk na mungoi asgjë për të dhënë dhe për të ruajtur simbolet tona”, tha Bekim Balaj, ish-futbollist i Kombëtares.
Balaj u bëri thirrje lojtarëve të tregohen të përmbajtur dhe të fokusuar për të arritur objektivin madhor, kualifikimin në Botëror.
“Kjo ndeshje është madhore për objektivat që kemi ne, pasi Serbinë mund ta shoh si kundërshtarë dirkekt për kualifikim të mundshëm në botëror. Një ëndërr për të gjithë shqiptarët. Besoj që ky grup ka forcën për ta bërë realitetet dhe nisur nga kjo ndeshje në Tiranë, djemtë duhet të ruajnë qetësinë, të jenë gjakftohtë dhe mos t’i marrë ajo atmosfera e shkallës së stadiumit, pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë. Shpresoj të jenë gjakftohtë dhe të bëjnë më të mirën në fushën e lojës, të arrijmë të dalim me një fitore që do të na vlente shumë”, tha Balaj.
Në 45 ndeshje me kombëtaren e madhe, Balaj ka shënuar 9 gola.