Nga Endri ÇINARI

Belajdi Pusi, sulmuesi shkodran që aktivizohet në Rusi me ekipin e Fakel e ka nisur në mënyrën më të mirë edicionin e ri 2025-26. Siç dihet për shkak të dimrit të ashpër, kampionati në Rusi starton më herët se të tjerët në Europë. Dhe ditën e djeshme skuadrat e elitës dhe ligës së dytë kanë zbritur për herë të parë në fushë për ndeshjet e kampionatit.

Për t’u kthyer tek Pusi, tashmë ai vijon në sezonin e tij të dytë tek Fakel. Ekip në të cilin u transferua në merkaton e janarit 2025, pas 3 vitesh e gjysmë aktivizim në Azerbajxhan. Shkodrani u prezantua si titullar në duelin e parë sezonal në transfertë kundër Kostroma. Dhe do ishtw pikërisht 27-vjeçari që do shënonte golin e parë sezonal për ekipin e tij.

Ku në minutën e 47-të pas një aksioni personal, dërgoi topin pas shpatullave të portierit kundërshtar. Duke shënuar golin e vetëm të sfidës, që i siguruan 3 pikët e para sezonale skuadrës së ish-sulmuesit të Vllaznisë.

Për Pusin dhe Fakel nis në mënyrë shumë pozitive ediconi i ri në ligën e dytë të Rusisë. Ku shkodrani kërkon të shënojë sa më shumë e klubi ngjitjen në elitën e futbollit rus, ku në sezonin e shkuar skuadra ishte pjesë e Premier League ruse.