Nga Gjergj KOLA

Franko Burraj shkëqen sërish. Atleti i Vllaznisë ka bërë një garë perfekte pasditen e sotme në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” në kuadrin e aktivitetit të Kupës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë ka arritur të thyejë rekordin kombëtar të garës së 400 metrave.

Sportisti shkodran ka dominuar mbi atletët e tjerë pjesmarrës në këtë disiplinë dhe kuptohet që konkurrencën e kishte me veten, në përpjekjet e tij për të thyer rekordin sepse kishte disa kohë që përgatitej për këtë gjë.

Dhe kështu ka ndodhur. Koha e dhënë fillimisht prej gjyqtarisë ka qenë 46″15, por kronometri elektronik e ka korigjuar më pas atë dhe si rrjedhojë koha e rregjistruar ka qenë 46″14. Çka përbën një rekord të ri të vendosur prej tij sepse rekordi i mëparshëm që mbahej po prej tij ka qenë në shifrat 46″16.

Ky rekord thyhet pas tre vitesh sepse i mëparshmi ishte vendosur më 2 korrik 2022 në Oran të Algjerisë, gjatë Lojrave Mesdhetare. Por tashmë ai ka rënë poshtë dhe prej ditës së sotme, shifrat e reja të garës së 400 metrave janë të fiksuara në rezultatin 46″14.

Një arritje e këtij sportisti, që tregon punën e palodhur që ai vazhdon të bëjë çdo ditë në stërvitje bashkë me trajnerin e tij Bruno Rrotani dhe padyshim që në të ardhmen prej kësaj dysheje presim të tjera rezultate të larta.(www.shkodrasport.com)