Portieri i Shqipërisë, Tomas Strakosha ka dalë në konferencën e zakonshme për mediat, teksa na ndajnë 3 ditë para duelit me Serbinë. Gardiani kuqezi u shpreh se do të jetë një ndeshje e vështirë, por që e kanë përgatitur mjaft mirë dhe se janë gati. Ndër të tjera ai tha se duhet të tregojnë që e meritojnë Botërorin dhe të fitojnë për të vazhduar ëndrrën.
“Nuk e shikoj veten personalisht, duhet të punojmë të gjithë si grup. Ata janë një grup i mirë, por edhe ne kemi kualitet, e përballojmë mirë Serbinë dhe jemi gati për atë ndeshje. Deri tani po shikoj djemtë që janë të përgatitur, të emocionuar si për çdo ndeshje, e di që për tifozët është diçka më shumë.
Por ne dimë që vlen për 3 pikët dhe jo më shumë, duhet të bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe te festojmë me të. Tifozët e kanë treguar se nuk është një ndeshje si ato që kemi luajtur tani, por ne shikojmë nga ana sportive. Duhet të tregojmë që e meritojmë Botërorin dhe e shtuna është ndeshja më e rëndësishme që kemi tani për të vazhduar ëndrrën tonë, e kemi përgatitur shumë mirë deri tani, çunat janë pozitivë dhe besoj mund tja dalim.
Di që në goditjet standarte janë shumë mirë, e kemi treguar që kemi një grup që mund të mbrojë mirë, por i dimë dhe gabimet tona që bëmë në Europian. Një lojtar veçmas nuk kam, por si ekip po. E kemi përgatitur ndeshjen si ekip dhe jo individualisht. Nuk kam një thirrje të veçantë, tifozët kuqezinj na kanë mbështetur si gjithmonë.
Kam respekt për çdo tifoz që na ka mbështetur që nga fundi botës. Kam pasur momente edhe që nuk kam luajtur fare, jam i përqëndruar, gati dhe ndjehem mirë. Ne jemi profesionistë dhe përqëndrohemi për çdo ndeshje, do të jetë ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare për vendin e dytë ose të tretë, e shohim si ndeshje të vështirë që do të japim maksimumin, por që nuk do të mbarojë asgjë tani”, deklaroi Strakosha.