Sulmuesi shkodran Amarildo Gjoni është kthyer në protagonistin e kampionatit moldav të futbollit me fanellën e Sherif Tiraspol që në javët e para të tij, duke shënuar me një rregullsi mbresëlënëse.

Sulmuesi i cili i dha lamtumirën Elbasanit në fundin e sezonit që sapo u mbyll, po shkëlqen me ekipin moldav, teksa sot ka shënuar golin e tij të katërt në vetëm 3 ndeshje të luajtura në kampionatin e ri. Ky gol i ka dhënë fitoren me rezultatin e ngushtë 1-0 skuadrës së tij.

Në ndeshjen ndaj Balti, atij iu deshën vetëm pak minuta për të tundur përsëri rrjetën me skuadrën ky është kthyer në bomberin kryesor të ekipit. Gjoni përfitoi nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes për t’iu shmangur pozicionit jashtë loje dhe për të dërguar topin në rrjetë.

SHIH VIDEON

Ky gol i shënuar nga futbollisti shkodran i ka mjaftuar Sherif Tiraspolit për të marrë edhe fitoren e katërt në kampionat në po kaq javë të luajtura dhe si rrjedhojë ai kryeson i vetëm renditjen.

Në dy ndeshjet e mëparshme të tij me fanellën e Sherif në kampionat, ai kishte shënuar 3 gola të tjerë duke e çuar totalin e tij në katër dhe duke qenë tashmë kryesues i renditjes së golashënuesve të kampionatit që në javët e para të tij.