Kristian Veri ka komentuar lëvizjet e ndryshme në pankinat e Serisë A që kanë ndodhur në këto ditë dhe sipas tij, mund të cilësohet një surprizë lamtumira e Inzagit, ndërsa një bast i fituar ai i Milanit me Alegrin.

“Largimi i Inzagit? Nuk e prisja, më erdhi keq sepse ka bërë 4 vite të rëndësishme, disa trofe, një titull, 2 finale të Ligës së Kampioneve. Është e vështirë të bësh 2 finale në 3 sezone, do të thotë se ke bërë skuadër të madhe. Sipas meje Inzagi ka qenë një trajner i mirë. Refuzimi i Fabregas? Do të ketë pasur arsyet e veta. Me shumë mundësi dëshironte një projekt më të gjatë. Qartësisht dëshironte të qëndronte te Komo.

Sarri? Të shohim tani çfarë do të bëjë. Pushoi, duke u kthyer aty nga ku ishte larguar. Nuk e parashikoja por në futboll mund të ndodhë gjithçka. Mendoj se do të bëjë një punë të mirë, pasi është një trajner i mirë.

Alegri? Do të bëjë mirë, pasi është i aftë, ka shumë eksperiencë, duhet t’i ndërtojnë skuadrën, por sipas meje do të bëjë një punë të madhe. Tare bëri mirë që zgjodhi atë”, tha ish-sulmuesi italian.