Gjërat kanë nisur të lëvizin më shpejt për Florian Virc. Sulmuesi i Leverkusenit që kërkohet nga “gjysma” e Evropës, po bën dhe ai me sa duket sondazhet e veta për të kuptuar se ku mund të jetë e ardhmja e tij. Një gjë është qartë të paktën, ai ka dy zgjedhje të rëndësishme në tryezë: ose të qëndrojë në Gjermani, ose të transferohet në Angli.

Ndonëse në orët e fundit ka pasur interes edhe nga Spanja; me Realin, që ka lëshuar disa sinjale afrimi. Por t’i marrim me radhë…

GJERMANIA – Në Mynih te Bajerni, drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë janë absolutisht të sigurt: Florian Virc do të transferohet te bavarezët këtë verë ose më së voni në vitin 2026. Kjo i është premtuar klubit. Sakaq, gazeta britanike “Times” raporton se lojtari i kombëtares gjermane po planifikon një vizitë këtë javë në zyrat e klubit në “Säbener Straße” për të diskutuar personalisht gjërat me drejtuesit e Bajernit. Diskutimi do të përqendrohet konkretisht në modalitetet e mundshme të transferimit dhe të ardhmen e mundshme të tij te rekordmenët e titujve në Bundesligë.

ANGLIA – Pastaj vjen Anglia dhe Liverpuli, me kampionët e Premier Ligës që kanë hedhur sytë seriozisht drejt Virc. Fakti që lajmi vjen nga Anglia shihet nga Liverpuli si një shenjë “besimi” midis klubit anglez dhe menaxherëve të Virc – klubi është informuar për vizitën. Megjithatë, te Bajerni, ata shpresojnë natyrshëm për një marrëveshje. Sipas një raporti të “Kicker”, në Mynih besojnë se një vendim i Virc midis Liverpulit dhe Bajernit do të merret brenda dhjetë ditësh në rastin më të vonë.

Fluturimi i familjes Virc për në Angli të martën e kaluar, u prit me qetësi në Mynih. Uli Hënes shkoi deri aty sa konfirmoi udhëtimin në Angli dhe – atë që më parë kishte qenë vetëm thashetheme për negociata – e klasifikoi atë si fakt. Madje ishte Hënes që zbuloi se Virc kishte shkuar në Liverpul. Liverpuli nga ana e vet ka bërë një hap edhe më shumë se Bajerni, duke lajmëruar dhe pronarët e klubit në Angli rreth bisedimeve me familjen Virc. Tashmë është gjithçka e qartë mes palëve…

SPANJA – … por ndoshta jo gjithçka mund të jetë ashtu siç duket. Sepse ndonjëherë mund të futet në lojë dhe një palë e tretë që mund t’i përziejë kartat. Aq më shumë kur kjo palë e tretë mban emrin Real Madrid. Sepse “AS” jo më larg se të mërkurën ka raportuar se në Madrid kanë nisur të mendojnë seriozisht për sulmuesin e Leverkusenit. Me sa duket, loja e “pokerit” po bëhet më interesante.