Vllaznia dhe Dinamo do të luajnë sot një 90-minutësh që do të çojë njërën në finalen e madhe për luajtur titullin e 86-të kampion të Shqipërisë. Të dyja klubet kanë një histori të veçantë. E para, sepse prej shumë vitesh nuk fitojnë titullin kampion. Shkodranët nuk triumfojnë prej sezonit 2000-2001, ndërsa Dinamo “agjëron” prej trofeut të kampionatit 2009-2010. Vllaznia ka nëntë tituj, por kërkon që të kthejë në Shkodër pas 23 sezonesh kampionatin. Situata është pak më ndryshe me Dinamon, e cila ka 14 kampionate që nuk del kampion, për ta çuar shifrën e titujve në 19-të.

Ajo e sotmja është një gjysmëfinale e “Final 4”, ku të dyja skuadrat do të tregojnë sa vlejnë, ndonëse Vllaznia niset favorite, pasi e ka mbyllur e dyta dhe kualifikohet si finaliste edhe me një barazim. Dinamoja vjen “e dehur” nga fitimi i Kupës së Shqipërisë, por do të realizojë ëndrrën e “dopietës” në një sezon, duke marrë edhe titullin kampion. Fitorja është rezultati i vetëm që vlen për blutë, të cilët vijnë të sfilitur nga Kupa në këtë sfidë. Gjithsesi, kryeqytetasit u kanë dhënë leksion shkodranëve në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë dhe nuk është çudi që historia të përsëritet.

Nga ana tjetër, Ilir Daja ka një armë plus, dy nga sulmuesit më të mirë: Peter Itodon dhe Baton Zabërgjan, të dy bashkë, me nga 12 gola secili. Mandela shënoi në Kupën e Shqipërisë, ndërsa Zabërgja ishte aty dhe gati për të bërë diferencën e madhe. Në Shkodër përgjigjen shumë më “rëndë”: Bekim Balaj 17 gola këtë sezon dhe Esat Mala, 7.

Pra, edhe në krahun tjetër, dy njerëz vendimtarë që duan të ekzaltojnë një qytet, i cili pret një titull tash 24 vite. Vitet e pritjes janë të gjata në të dy kahët. Kjo do të thotë se dyshet e sulmit kanë detyrën më të vështirë: të gëzojnë tifozërinë e skuadrave respektive… E, duke parë që katërshja golin e ka në gjak, suksesi është i garantuar. Ose, të paktën, kështu besojnë të gjithë…