Atmosfera në kampin e Vllaznisë në këtë fillim jave ka qenë shumë pozitive. Shkodranët duken në harmoni të plotë tashmë me ardhjen e Martinit në stol, i cili nga dita në ditë po mundohet të implementojë idetë e tij rreth skuadrës dhe sezonit të ri.

Stërvitja e shkodranëve si zakonisht është zhvilluar pasdite, duke pasur parasysh edhe temperaturat e larta që kanë “pushtuar” vendin tonë në përgjithësi. Grupi i 9 herë kampionëve ka qenë i plotë dhe të gjithë lojtarët kanë qenë nën urdhrat e trajnerit Martini. Duke zhvilluar kështu nën pozitivitet, por edhe seriozitet seancën e parë stërvitore për këtë javë dhe duke nisur kështu javën “anti-Daugavplis”.

Ku humori dhe energjia, duket shumë pozitive në kampin shkodran dhe mentaliteti është që turi i parë i Conference League është më se i kalueshëm. Por, pa nënvlerësuar në asnjë moment kundërshtarin e së enjtes.

OBJEKTIV – Megjithatë kalimi i turit të parë të Conference League nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një objektiv i klubit shkodran. Drejtuesit kërkojnë me patjetër minimalisht kalimin në turin e dytë dhe diçka e tillë i është bërë e ditur edhe stafit teknik dhe po ashtu futbollistëve, të cilët duket se janë më se të gatshëm për sfidën e parë zyrtare të këtij edicion.

Duelet e Conference League për Vllazninë do të luhen në datat 10 dhe 17 korrik, ku fillimisht shkodranët do të presin këtë të enjte në orën 20:00, në “Elbasan Arena” kundërshtarët letonezë. E ndërsa vetëm një javë më pas do i kthejnë vizitën Daugavpils në Letoni.