Nga Endri ÇINARI

Reparti më i kritikuar gjatë sezonit që u mbyll tek  Vllaznia ka qenë mbrojtja. Kjo pasi shkodranët ishin një ndër ekipet më të ndëshkuara në kampionat, me 39 të pranuar në portën e tyre pas 36 raundesh në Superiore. Duke mos përfshirë edhe 5 golat e pësuar në ndeshjet e final 4 përballë Dinamos dhe Egnatias. Pikërisht nga një fakt i tillë, riformatimi i skuadrës shkodrane do nisë nga ky repart. 

Dy emra si Marko Juriç dhe Milos Stojanoviç që kanë mbajtur peshën kryesore të prapavijës në edicionet e fundit janë me valixhe në duar. Dhe largimi i tyre nga kuqeblutë duket vetëm një çështje kohe. Synimi i drejtuesve është afrimi i dy qendër mbrojtësve me eksperincë dhe që garantojnë cilësi në prapavijë. Ku së bashku me Pusin dhe Repajn, mund të jenë katërshja sezonale e skuadrës shkodrane. 

Nga krahët e mbrojtjes duket se nuk do ketë lëvizje të mëdha. Ku Gurishta pritet të jetë një nga pikat e forta në të djathtë dhe kontrata e 30-vjeçarit pritet të rinovohet. Por po ashtu kërkohet një zëvendësues në rolin e mbrojtësit të djathtë.

Në të majtë, Jago ka një kontratë të vlefshme edhe për sezonin tjetër. Me brazilianin që është vlerësuar për paraqitjet e tij në edicionin 2024-25, teksa në këtë poizicon pritet afrimi edhe i një mbrojtësi tjetër. Pasi largimi i Spahijës së fundmi ka lënë një boshllëk në atë pozicion.(www.shkodrasport.com)