Plot 72 futbollistë të huaj janë rregjistruar këtë sezon në Superligën shqiptare. Vendimi i FSHF për të hequr kufizimin e numrit të tyre, ka bërë që drejtuesit e klubeve të mos mendojnë për produktin e Akademive të tyre, por të marrin lojtarë të gatshëm nga jashtë.
Krejt ndryshe ka ndodhur këtë vit tek Vllaznia, e cila rezulton të jetë skuadra më “bio” e kampionatit shqiptar, me vetëm 4 futbollistë të huaj në rradhët e saj. Bëhet fjalë për portierin gjerman Leon Pohls, mbrojtësin brazilian Andrey Yago, mesfushorin moldav Cristian Dros dhe sulmuesin ganez Charles Bismark.
Ky është një sinjal shumë pozitiv që Vllaznia jep për të gjithë futbollin shqiptar dhe padyshim që duhet vlerësuar. Nga ana tjetër, ekipe si Bylis, Flamurtari, Tirana etj, e kanë “tepruar” jashtëzakonisht shumë me numrin e të huajve, teksa në fushën e lojës në dy javët e para të kampionatit në ndeshjet e tyre ke konstatuar më më shumë të ardhur sesa vendas.
Globalizmi sigurisht që ka ndikimin e vet, megjithatë për nivelin që ka futbolli shqiptar, sigurisht që heqja e barrierës për numrin e lojtarëve të huaj ka qenë një vendim aspak pozitiv dhe që do të dëmtojë shumë edhe Akademitë e klubeve.(www.shkodrasport.com)