Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka bërë realitet një tjetër afrim në merkato. Ashtu siç “Shkodra Sport” e paralajmëroi mbrëmjen e djeshme, drejtuesit kuqeblu kanë firmosur me portierin gjerman, Leon Pohls, një kontratë një-vjeçare me të drejtë zgjatje edhe për një vit tjetër. Portieri gjerman do të jetë pjesë e listës së ekipit kuqeblu për turin e dytë të Conference League.
Arritja e marrëveshjes u konfirmua edhe nga klubi i Vllaznisë, por edhe nga faqja zyrtare e Shamrock Rovers. Për Pohls, kjo është eksperienca e tij e parë në kampionatin shqiptar. Pjesën më të madhe të karrierës së tij, ky portier e ka në Irlandë me Shamrock Rovers. Pohls është 28-vjeç dhe është i gjatë 1.94-metra.
Sa i takon karrierës së tij, Pohls është produkt i Akademisë së Leipzig, një prej klubeve të njohura gjermane për zhvillimin e talenteve. Më pas u transferua në Irlandë, ku firmosi me klubin e Shamrock Rovers në vitin 2019, i cili është edhe një prej klubeve më të suksesshme në Ligën e Irlandës.
Te Shamrock Rovers, edhe pse shpesh ka qenë portier i dytë, Pohls ka bërë disa paraqitje të rëndësishme, ku ka qenë pjesë e skuadrës në ndeshjet europiane dhe ndeshjet e kampionatit irlandez. Poashtu, portieri Pohls njihet për refleksin e mirë dhe përqëndrimin në situata të rrezikshme.
Portieri gjerman është i aftë në lojën me këmbë, një aspekt i rëndësishëm për portierët modernë. Nga karriera e tij, Pohls duket një portier cilësor për Vllazninë, e cila nga ana e saj e kishte një nevojë të madhe afrimin në ekip të një gardiani tjetër. Gjithsesi, fusha është ajo që do të dëshmojë më shumë për cilësitë e portierit gjerman Leon Pohls.(www.shkodrasport.com)