Nga Maringlen ZHIVANI


Merkatoja e Vllaznisë deri më tani mbetet në tentativë. Klubi kuqeblu ka nisur prej kohësh punën për të forcuar ekipin, por afrimi i vetëm deri më tani ka qenë ai i Arsid Krujës. Në klub, prej kohësh qarkullojnë emra të ndryshëm në lidhje me një afrim të mundshëm, por asgjë zyrtare. Nga ana tjetër, largimet kanë nisur dhe dy janë mbyllur në formë zyrtare.

Futbollisti që duket më pranë Vllaznisë aktualisht është Aleksandër Kouros. Ish-mbrojtësi i Teutës ka folur me drejtuesit dhe ka arritur një akord paraprak, por nuk kuptohet përse operacioni nuk finalizohet. Pezull mbetet situata edhe me Arbin Zejnullain dhe Sherif Kallakun, të cilët kanë mjaft kërkesa dhe financat janë arsyeja përse kuqeblutë dhe mesfushorët nuk kanë konkretizuar ende asgjë.

Sa i takon rinovimeve, Esat Mala ka dhënë disa shpresa, ndërsa klubi i ka ofruar rinovimin edhe Alfred Mensah me një pagë më të lartë, me të cilin ka pasur një akord paraprak. I vetmi zyrtarizim sa u përket kontratave të reja që ka bërë Vllaznia janë marrëveshjet tre-vjeçare me tre të rinjtë, Aris Ara, Gerald Kubazi dhe Xhoel Hajdari.

Emër i ri është edhe Arsid Kruja. Më pas, dera e afrimeve është mbyllur, për të mos u hapur më deri më tani. Me largimet, klubi ka nisur të lëvizë menjëherë pas mbylljes së sezonit, por deri më tani janë konfirmuar vetëm dy largime. Stojanoviçit dhe Deliut iu skadoi kontrata dhe palët nuk dëshiruan rinovimin.(www.shkodrasport.com)