Vllaznia duket e vendosur për të ndërtuar një skuadër cilësore për sezonin e ri. Drejtuesit e saj po mundohen të bëjnë më të mirën për të gjetur lojtarë cilësorë për çdo repart dhe puna ka nisur duke filluar nga porta.
Sipas faqes futbolli_ne_shqiperi, kuqeblutë janë shumë pranë akordit me një portier maqedonas. Bëhet fjalë për Igor Aleksovski. Ai është 30-vjeçar dhe ka luajtur për disa skuadra të njohura në kampionatin maqedonas, si Rabotnicki, Pelister, Renova dhe së fundmi për Rabotnicki përsëri, ku ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve dhe ndër portierët më të vlerësuar në shtetin fqinj, pasi ka mbajtur portën e paprekur në 17 ndeshje. Me një gjatësi mbi 1.90 m, ai ka avantazh në duelët ajrore dhe është i njohur për dalje të sigurta në goditjet nga këndi apo krosimet.
Trajneri i Vllaznisë ka kërkuar përforcime cilësore për sezonin e ri, dhe afrimi i një portieri me përvojë si Aleksovski pas akordit me Arsid Krujën është pjesë e kësaj strategjie. Me finalizimin e këtij transferimi, Vllaznia synon të forcojë garën për një vend në majat e tabelës dhe të jetë më konkurruese në garat vendase dhe ato ndërkombëtare. Mbetet të shihet nëse firmosja do të ndodhë brenda javës, por sinjalet janë pozitive.
Duhet thënë se me klubin shkodran aktualisht janë nën kontratë edhe dy portierë të tjerë dhe pikërisht Kristi Qarri dhe Aron Jukaj, megjithatë duket se stafi i ri ka kërkuar më shumë përvojë për këtë pikë të skuadrës dhee për këtë arsye i kanë hedhur sytë nga maqedonasi Aleksovski.(www.shkodrasport.com)