Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur përgatitjet për ndeshjen e turit të dytë të Conference League përballë Vikingur. Kuqeblutë do të ndeshen me ekipin nga Islanda ditën e enjte në orën 20:30, në stadiumin “Loro Boriçi”. Pikërisht para këtij dueli, serioziteti dhe përqëndrimi është maksimal në kampin kuqeblu.
Kjo dallohet edhe nga stërvitja e pasditës të së shtunës, të cilën nëntë herë kampionët e vendit e kanë zhvilluar në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”. Në fakt, ndryshe nga herët e tjera, ku skuadra e drejtuar nga Martini i ka zhvilluar seancat stërvitore në kompleksin “Hasaj” të Golemit, për momentin shkodranët po preferojnë që seancat t’i zhvillojnë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”.
Në seancën e parë të përgatitjeve për ndeshjet ndaj Vikingur, trajneri Martini kishte vendosur për të lënë pushim futbollistët titullarë të ekipit që drejton. Kjo lëvizje patjetër që është bërë që futbollistët të rikuperohen në mënyrën e duhur dhe t’i përgatisin duelet europiane me forca të plota.
Nga sa u pa, seanca ishte e plotë, por jo me një ritëm të lartë, ku më së shumti u preferuan ushtrimet me topin në fushën e lojës. Momentalisht, te Vllaznia nuk ka asnjë mungesë për ndeshjen e së enjtes, teksa grupi i futbollistëve është totalisht i gatshëm nën urdhrat e trajnerit shkodran Edi Martini.(www.shkodrasport.com)