Nga Endri ÇINARI

Kompanitë e basteve duket se nuk e “llogarisin” aspak Daugavpils në duelin kundër Vllaznisë. Kjo sepse sipas kuotimeve në kompani të ndryshme, shkodranët janë dukshëm favoritë për një fitore në ndeshjen e parë. Dhe automatikisht favorit për kalimin edhe turit më tej. Kështu një fitore e kuqebluve në ndeshjen e parë, në Elbasan ditën e enjte, ka një koeficent 1.36.

Një barazim mes dy skuadrave kuotohet me koeficientin 4.5 e ndërsa një fitore e letonezëve në 90 minutat e para kuotohet me koeficentin 7. E në një rast të tillë bëhesh “milioner” po të “godasësh” në shenjë. Kuotimet e “bookmakersave” patjetër tregojnë edhe për diferencat mes dy skuadrave, ku Vllaznia është absolutisht favorite në letër për një sukses ndaj Daugavpils.

Por, te shkodranët nuk ka aspak vend për nënvlerësim dhe serioziteti është në maksimum para një ndeshjeje të tillë. Kjo bazuar edhe nga eksperiencat negative të sezoneve të shkuara në përballjet e Conference League.

Ku 9 herë kampionët e vendit tonë u eleminuan ndaj ekipeve modeste si Lindfiels i Irlandës së Veriut apo Valur i Islandës. Dhe në të dy rastet ishin shkodranët që ishin favoritë, por pa arritur kualifikimin më tej ndaj kundërshtarëve të sipër përmendur.(www.shkodrasport.com)