Pavarësisht se në heshtje dhe pa ndonjë bujë të madhe, Vllaznia po punon për afrimin e futbollistëve dhe riformatimin e skuadrës për edicionin e ri.

Momentalisht, drejtuesit e ekipit janë të përqendruar te futbollistët shkodranë dhe emri i radhës që ka dalë në skenë është ai i Esin Hakajt. Sipas “Panorama Sport” mëson se mbrojtësi ka pasur një takim me drejtuesit e klubit, ku i është propozuar edhe një ofertë, që momentalisht nuk ka qenë bindëse për mëngjarashin. Megjithatë, pavarësisht se bisedimet janë vetëm në fillim, si Hakaj, ashtu edhe Vllaznia ia kanë lënë “derën hapur” njëri-tjetrit.

Për të diskutuar një kontratë dhe një çmim tjetër në ditët në vijim. Nëse kjo lëvizje do konkretizohej do ishte hera e tretë në karrierë që Hakaj do vishte fanellën e 9 herë kampionëve të vendit. 28-vjeçari në sezonin 2024-‘25 ishte pjesë e Elbasanit, me të cilët zhvilloi vetëm 18 ndeshje në kampionat për shkak të një dëmtimi që e shoqëroi për një kohë të gjatë. Ish-futbollisti edhe i Partizanit e Teutës tashmë ka mbyllur gjithçka me verdheblutë dhe këto ditë ka qenë në Shkodër pranë familjes së tij. Ku duket se e ardhmja flet kuqeblu për mbrojtësin, duke përjashtuar ndonjë surprizë të mundshme në ditët e ardhshme.