Vora do të hyjë në sezonin e ri të Superiores me një fytyrë krejtësisht të re. Klubi ka afruar plot 11 futbollistë, mes tyre 6 të huaj, që pritet të sjellin cilësi dhe alternativa të shumta për trajnerin Arian Bellai. Këto afrime përbëjnë një formacion të dytë të gatshëm për skuadrën debutuese në elitën e futbollit shqiptar.
Ky është sezoni i parë historik për Vorën në 36 vite ekzistencë, dhe klubi ka qenë ndër më aktivët në merkato gjatë kësaj vere. Rinovimi i thellë i skuadrës është pjesë e një projekti afatgjatë, ku objektivi kryesor i vitit të parë mbetet mbijetesa në Superiore, por edhe ndërtimi i një grupi konkurrues për të ardhmen. 11 debutuesit e Vorës:
-Romeo Harizaj (26 vjeç) – portieri ballshiot, me eksperiencë te Apolonia, Dinamo dhe Tirana.
-Serjan Repaj (24 vjeç) – qendërmbrojtësi shkodran ka luajtur më parë me Vllazninë dhe Apoloninë.
-Henri Zuna (22 vjeç) – mbrojtës i djathtë, rritur te Partizani dhe me eksperiencë edhe te Kastrioti.
-Luis Felipe da Silva Rodrigues (24 vjeç, Brazil) – qendërsulmues, vjen si zëvendësues i Ruzgis pas dëmtimit të këtij të fundit.
-Bernard Karrica (24 vjeç, Gjakovë) –sulmues i majtë, me karrierë në Kroaci dhe Kosovë, si dhe Kombëtaren Shpresa, debuton në Shqipëri.
-Enis Faslagiç (25 vjeç, Maqedoni) –mesfushor shkatërrues, alternativë për kapitenin Xhuljo Tabaku.
-Adeloye Folahan (20 vjeç, Nigeri) – sulmues i djathtë, firmos kontratën e parë profesionale në Shqipëri.
-Uallace Medeira Almeida (24 vjeç, Brazil) –qendërsulmues, përforcim tjetër për ofensivën.
-Vinicius Cesar (19 vjeç, Brazil) –qendërmbrojtës, vjen nga ekipet U-20 të Korinthians dhe Kruzeiro.
-Dario Daka (21 vjeç) – sulmues i djathtë, me origjinë shqiptare, i formuar te Akademia “Leçe” në Itali.
-Çibuike Prestige Ohaegbulam (21 vjeç, Nigeri) – qendërmbrojtës, afrimi më i fundit në prapavijë. Këta futbollistë përbëjnë një bërthamë të re për Vorën, duke rritur ndjeshëm potencialin dhe konkurrencën e ekipit në sezonin debutues në elitën e futbollit shqiptar.