Altin Xhahysa, ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Vllaznisë, ka folur për “Panorama Sport”. Shkodrani ka analizuar kualifikimin e kuqebluve në Conference League, duke vlerësuar shpirtin e garës dhe cilësitë që treguan, por, duke treguar edhe gabimet e 9 herë kampionëve që duhen korrigjuar për ndeshjet e ardhshme. Ndër të tjera, ai flet edhe për merkaton, largimin e Dodajt dhe duelet e radhës në Europë ndaj Vikingur.
Xhahysa, një Vllazni që bindi në takimin e kthimit ndaj Daugavpils dhe u kualifikua. I kënaqur nga kuqeblutë?
Po, mund të them se m’u bë shumë qejfi që Vllaznia u kualifikua dhe besoj ashtu siç e kam thënë më përpara, kjo ishte një detyrë. Do të ishte një mëkat për mua që një ekip i tillë të eliminonte Vllazninë. Pavarësisht humbjes së ndeshjes së parë, u dallua qartë që kuqeblutë ishin shumë më lart se kundërshtarët. Prandaj i përgëzoj për këtë kualifikim dhe kalim turi më tej.
Sa i rëndësishëm ishte ky kualifikim në aspektin moral?
Jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ndryshe sezoni i ri do të niste menjëherë me një objektiv të “dështuar”. Skuadra tregoi grintë dhe dëshirë për të përmbysur shifrat, tregoi që e kërkoi me të gjitha forcat atë kualifikim. Por, i rëndësishëm, përveç moralit, është edhe aspekti financiar, sepse klubi mbush arkën në njëfarë mënyre dhe ka mundësi më shumë për të përforcuar ekipin.
Ndryshoi diçka te Vllaznia në duelin e kthimit në Letoni krahasuar me atë në Elbasan?
Për mua, Vllaznia luajti thuajse njësoj në të dyja ndeshjet, duke dominuar në territor kundërshtarin e duke krijuar shumë raste. Diferenca e vetme ishte se në ndeshjen e kthimit këto raste shkuan në rrjetë, ndërsa në 90 minutat e para nuk u konkretizuan. Por, siç e theksova, ishte se futbollistët kishin edhe një mentalitet tjetër dhe të bindur për kualifikimin më tej.
Po diçka që nuk shkoi, kishte apo jo?
Në të dyja ndeshjet, Vllaznia vuajti shumë lojën në ajër të kundërshtarëve. Të gjithë golat e pësuar ishin thuajse identikë dhe kjo më la shije të “hidhur”. Sepse duheshin marrë masat që ekipi t’i shmangte situata të tilla. Por, hyrja e Gjinit në fushë e rregulloi shumë këtë problematikë për kuqeblutë, të cilët patjetër duhet ta analizojnë me kujdes këtë aspekt, për të mos ripërsëritur gabimet në ndeshjet e radhës.
Kalojmë pak te merkato, ku duhet plotësuar ekipi?
Tashmë porta dhe mbrojtja duken të kompletuara, pasi edhe rolet janë të dubluara. Pastaj kush do të bëjë diferencën, do të jetë titullar dhe do të luajë, kjo dihet nga çdokush që merret me futboll. Mendoj se në mesfushë ende skuadra ka nevojë për përforcime, me një futbollist fantazist siç thuhet shpesh. E po ashtu në sulm, tashmë me ardhjen e Bismark duket më i plotësuar. Pavarësisht se do të thosha të synohej edhe ndonjë lojtar krahu në repartin ofensiv. Megjithëse lojtarët që do të afrohen duhet të jenë të përshtatshëm për idetë e trajnerit.
Largimi i Dodajt në këto momente, një disavantazh për Vllazninë?
Dodajt fillimisht i uroj suksese në aventurën e tij të re. Uroj të rritet dhe zhvillohet akoma më tepër si futbollist sepse i ka mundësitë dhe cilësitë për ta bërë diçka të tillë. Them se lëvizja erdhi në kohën e duhur për lojtarin dhe klubin dhe ishte e paralajmëruar me kohë. Patjetër ekipin humbet një element të rëndësishëm, por shpresoj që kushdo të zëvendësojë Dodajn, të japë po aq sa ai në fushën e lojës.
Kundërshtari i radhës në “Conference League” do të jetë Vikinguri. Si e analizoni personalisht?
Ekipet islandeze janë shumë të forta dhe këtë ekipet shqiptare e kanë provuar në “shpinë” në sezonet e fundit, ku edhe Egnatia para pak ditësh apo edhe Vllaznia në të shkuarën kanë pasur eksperienca negative nga këto përballje. Janë ekipe modeste në dukje, por që dinë të luajnë futboll, duke pasur një sistem “mekanik” të cilin e aplikojnë në perfeksion. Po ashtu, loja në ajër është pika e tyre e fortë dhe duelet fizike. Këto janë pika besoj, të cilat duhen shqyrtuar në detaje për të “luftuar” dhe tentuar kualifikimin më tej.
Beson te një kualifikim i Vllaznisë në turin e tretë?
Do të ishte diçka historike për vetë Vllazninë dhe unë e uroj me zemër. Nuk mund ta mohoj që do të jetë shumë e vështirë përballë Vikingurit dhe dua të jem sa më objektiv dhe real. Por, në futboll shpesh kemi parë që ka surpriza dhe pse jo kësaj radhe edhe Vllaznia të bëjë një “surprizë” të tillë.