Kualifikimi i Vllaznisë në turin e dytë të “UEFA Europa Conference League” ka qenë i pritshëm nisur nga ajo se çfarë ajo dhe kundërshtari i saj- Daugavpils, ka paraqitur në fushën e lojës në dy ndeshjet e zhvilluara.

I këtij mendimi është gazetari sportiv Ylli Aga, i cili vlerëson shumë dëshirën futbollistëve në fushën e lojës për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë të luajtur në Elbasan.

“Jam i lumtur për Vllazninë, për Martinin, për skuadrën, që patën mentalitetin e duhur edhe për të kapërcyer atë “aksident” të ndeshjes së parë. Po t’i shikoje të dy skuadrat në çfarëdolloj drejtimi, Vllaznia ishte superiore. E dëshmoi në ndeshjen e parë dhe shkoi me besimin edhe në të dytën në Letoni.

Për t’u vlerësuar shumë është reagimi i skuadrës kur ishte në disavantazh 2-1, që solli edhe përmbysjen e shifrave. Dhe kjo është shumë pozitive sepse mendoj që stafi i mori më të mirën e mundshme lojtarëve që pati në dispozicion. Të gjithë patën shumë dëshirë për ta marrë këtë kualifikim që ishte 100 për qind i merituar për Vllazninë”- është shprehur Aga.