Javier Zanetti, në një intervistë të gjatë për “Flashscore”, foli edhe për mundësinë që kishte pasur të kalonte te Real Madridi në vitin 2011, por në fund zgjodhi të qëndronte tek Interi: “Vendimi u mor sepse nuk vlerësohet gjithmonë vetëm ana ekonomike, por edhe si ndihesh në një vend. Tek Interi jam ndjerë gjithmonë shumë rehat, sepse ndjeja një atmosferë familjare. Kjo është ajo që kërkoj dhe më pëlqen, prandaj gjithmonë kam vendosur të qëndroj tek Interi”.
Për Yamal: “Një lojtar i jashtëzakonshëm. Një talent unik, shumë i shpejtë me të djathtën dhe sidomos me të majtën. Është vetëm 17 vjeç dhe ka luajtur mbi 100 ndeshje. E vërteta është se ka një të ardhme të madhe përpara. A është e tepruar ta krahasosh me Messin? Sot po, sepse Messi ka qenë më i miri për një kohë shumë të gjatë. Ai qëndroi në elitë me një vazhdimësi që është shumë e vështirë për t’u mbajtur. Leo, sipas meje, është thelbi i futbollit. A do t’i arrijë Yamal këto nivele? Nëse do të jetë i qëndrueshëm, me siguri do të ngjitet në podium. Por sot, e vërteta është se ta krahasosh me Messin me duket shumë e parakohshme”.
Trajneri më i mirë për momentin: “Simone Inzaghi”.
Kush ka qenë shoku më i mirë i skuadrës gjatë karrierës së tij si futbollist: “Kam pasur fatin të luaj me Messin”.
11 lojtarë që veçon nga koha e tij si futbollist: “Ronaldo, Baggio, Simeone, Batistuta, Caniggia, Samuel, Cambiasso, Julio César, Maicon, Roberto Carlos. Të gjithë lojtarë të jashtëzakonshëm. Messi, Eto’o, Milito. Kam luajtur me pothuajse të gjithë, ka qenë nder dhe privilegj”.
Ndryshimet mes Interit të Morattit dhe atyre që pasuan: “Të gjithë pronarët kanë pasur vizione të ndryshme, kultura të ndryshme, dinamika të ndryshme. Moratti ishte dhe është një familje shumë e lidhur me Interin. Pas tij erdhi Thohir, një biznesmen indonezian, që synoi të rregullonte financat e klubit. Pastaj erdhi pronësia kineze me Steven Zhang, që në fillim kishte fuqi të madhe blerëse dhe donte të bënte investime cilësore. Tani është ky fondi amerikan, “Oaktree”, që ka ide shumë të qarta dhe dëshiron ta çojë Interin lart”.
A ka ndryshuar roli i tij gjatë këtyre presidencave: “Po, por të gjithë e kanë njohur mirë ndjenjën time të përkatësisë për klubin”.
Serie A nuk është më ajo që ishte: “Po rikthehet, po rikthehet. Sot mendoj se Premier League është kampionati numër një, por Serie A po rikthehet falë skuadrave që përpiqen të luajnë futboll të mirë dhe po merr shumë vëmendje ndërkombëtare, gjë që me siguri mund t’i ndihmojë shumë klube”.
Ish-shoku i tij i skuadrës, Chivu, ka bërë një punë të shkëlqyer te Parma: “Po, Cristian po bën me të vërtetë mirë. Fillimisht ishte me ekipin tonë ‘Primavera’ për tri vite, edhe atje bëri një punë të shkëlqyer. Tani pati këtë mundësi te Parma, që e mori në një moment të vështirë, kur ishte në zonën e rënies. Kampionati përfundoi dhe Parma qëndroi në Serie A. Jam i bindur që Cristian do të ketë një karrierë të gjatë si trajner”.
Ndonjë ish-shok tjetër skuadre, që e sheh si trajner në të ardhmen: “Cambiasso. Mendoj se Cuchu, nëse vendos ta provojë, do të bëhet një trajner i madh, sepse i tillë ishte edhe si futbollist”.
Interi do të përballet me River Plate në Kupën e Botës për Klube: “Do të jetë një ndeshje e bukur, sepse të dyja skuadrat përpiqen të luajnë futboll të mirë. River ka një lojtar të ri si Mastantuono, vetëm 17 vjeç, por luan me një personalitet që e bën të duket sikur ka 10 vite në Serie A. A është Interi i interesuar për të? Kujt nuk i pëlqen Mastantuono? Të gjitha ekipet do ta donin, por kushton shumë”.
A janë gati për Botërorin e Klubeve: “Është një turne i ri, me një format të ri, por besoj se është një mundësi shumë e mirë, sepse të gjitha skuadrat, nga pjesë të ndryshme të botës, përballen me njëra-tjetrën. Duke qenë edicioni i parë, të gjithë do të duan ta fitojnë dhe do të përgatiten në mënyrën më të mirë”.
A po e marrin seriozisht ekipet europiane këtë turne: “Për atë që thashë më lart, mendoj se është një turne shumë prestigjioz. Të luash kundër skuadrave nga pjesë të tjera të botës të pasuron gjithmonë. Për këtë mendoj se kur të fillojë, do të ketë shumë njerëz që do ta ndjekin”./telesport/