Të shkosh dy herë radhazi në finale për titullin kampion dhe për më tepër si kryesues, është një emocion më vete. I tillë është rasti i Egnatias, që duket se po i merr maksimumin e mundshëm formulës së re të kampionatit. Duket si një fotokopje e sezonit të kaluar, por kanë edhe një ndeshje për ta mbyllur ashtu si duhet këtë vit, ku titulli kampion ka mbetur objektivi i vetëm për t’u arritur pas eliminimit nga kupa.
ZEJNULLAI – Pas barazimit me Partizanin pa gola në gjysmëfinale, çka i solli edhe kalimin në finalen e madhe, për mediat foli mesfushori i Egnatias, Arbin Zejnullai. Ai u ngacmua për rivalitetin me të kuqtë këtë edicion. Edhe pse me vuajtje, për të ka rëndësi që do të jenë sërish në finale për të pretenduar titullin kampion.
“Normalisht që është një emocion dhe ndjenjë e mirë. Ende nuk ka mbaruar asgjë, bëmë punën dhe jemi në finale. Ishte ndeshje deçizive me Partizanin, sepse bëhej fjalë për finale dhe normalisht rivaliteti është në mes. Jemi përballur edhe në kupë, vjet në finale dhe ka pak rivalitet, edhe pse të gjitha ekipet janë të njëjta. Ndoshta duhet ta kërkonim më shumë golin, por ndoshta duhet edhe të mësohemi të vuajmë. Edhe barazimi na kualifikonte, ndonëse ne nuk u futëm për barazim, por në fund rëndësi ka kualifikimi”, u shpreh fillimisht futbollisti i Egnatias.
VLLAZNIA – Në vijim, ai u ndal edhe te finalja me Vllazninë më 12 Maj, ku e sheh një sfidë të vështirë dhe të fortë. “Me Vllazninë është finale dhe normalisht do të jetë e vështirë. Të dyja ekipet duan ta fitojnë trofeun dhe të shohim. Di të them që do të jetë një ndeshje e fortë. Sa i përket finalistit, nuk kisha ndonjë preferencë”, mbylli prononcimin e tij për mediat Arbin Zejnullai. Mesfushori është një nga të mbijetuarit e sezonit të kaluar që fituan titullin kampion me skuadrën e Egnatias, duke u bërë kështu pjesë e historisë e këtij klubi.