Archange Bintsouka nuk do të jetë më pjesë e Partizanit. Sulmuesi kongolez është drejt mbylljes së aventurës së tij në kryeqytet, me kontratën që i përfundon në fund të këtij muaji. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga drejtuesit për të arritur një rinovim, marrëveshja nuk u arrit.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se Bintsouka ka zgjedhur të provojë një sfidë të re jashtë Shqipërisë, me destinacionin e tij të radhës që pritet të jetë Qipro. Edhe pse emri i skuadrës nuk është bërë ende publik, mësohet se marrëveshja është arritur dhe lojtari do të transferohet drejt kampionatit qipriot.
Nga ky operacion, Partizani përfiton 30 mijë euro, të cilat vijnë si kompensim për taksën e formimit të futbollistit. Një shumë e mirëpritur për arkat e klubit, e cila mund të përdoret për afrime gjatë merkatos së verës.
Bintsouka ishte një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës në sezonin e fundit, ku zhvilloi plot 45 ndeshje, shënoi 6 gola dhe dhuroi 5 asistime, duke qenë një pikë e fortë në sulmin e “të kuqve”. Partizani tashmë do të duhet të mendojë për pasuesin e tij, ndërsa tifozët do ta kujtojnë si një lojtar që gjithmonë dha maksimumin në fushë.