Merr fund ankthi dhe dilema rreth së ardhmes së pankinës së Vorës. Trajneri Arian Bellai do të vazhdojë në krye të Vorës. Pas suksesit në Kategorinë e Parë, ku vorakët siguruan ngjitjen historike në elitën e futbollit shqiptar, trajneri gjirokastrit do ta vijojë misionin e tij me Vorën edhe në sezonin e ri në Superiore.
Për Vorën ky do të jetë edicion historik, pasi për herë të parë në historinë si klub futbolli, arrijnë të luajnë mes më të mirave të futbollit shqiptar. Njoftimin për rinovimin e kontratës me trajnerin Bellai e ka publikuar vetë klubi, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
Ja njoftimi i Vorës: “Arian Bellai do të jetë trajneri i Vorës edhe për sezon tjetër. Tekniku dhe presidenca kanë arritur marrëveshjen për zgjatjen e kontratës. Pas shpalljes kampion i Kategorisë së Parë dhe arritjes së objektivit për ngjitjen në Superiore, presidenca ka konfirmuar trajnerin Bellai në krye të stafit teknik. Urime Arian!”.
PUNA PËR SEZONIN E RI – Vora, debutuesja më e re e Superiores, e ka nisur me mjaft përkushtim ndërtimin e skuadrës së sezonit 2025- 2026. Si çdo skuadër debutuese, llogaritë për sezonin e ri bëhen që të ndërtohet një skuadër e qëndrueshme, për t’u mbijetuar skuadrave elitare, si dhe të jetë e denjë dhe konkurruese. Projekti i Vorës është për një qëndrueshmëri sa më të gjatë në elitën e futbollit shqiptar. Dhe për ta bërë këtë, asaj i duhet të ketë lojtarë mjaft të mirë e cilësorë, por edhe profesionistë e të përvojës.
Duke nisur nga këto cilësi, Vora ka larguar deri më tani 6 futbollistë duke nisur me: Ysni Ismaili, Odirah Ntepe, Gresild Lika, Arbër Jata, Ermir Skënderi, Nikolin Duka. Ndërkohë kanë rinovuar me kapitenin Xhuljo Tabkau, mesfushorin me tipare sulmuese Marjo Marjamaj, si dhe mbrojtësin Jurgen Vrapi. Dje ka rinovuar edhe trajneri Arjan Bellai, arkitekti i suksesit historik. Vora ka bërë edhe afrimin e parë, portieri Romeo Harizaj. Largimet e shumta deri në këto momente, lë të kuptohet se Vora do të bëjë merkato të fuqishme, jo vetëm për të plotësuar vendet bosh, por edhe për të rritur cilësinë në ekip.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL