Nga Endri ÇINARI
Ishte një ndër protagonistët kryesorë të fitores së Vllaznisë në shifrat 2-0 ndaj Egnatias, duke “gatuar” të dy golat e kuqebluve. Fjala është për Andrey Yagon, mbrojtësin brazilian që vijon konfirmimin e formës shumë pozitive të sezonit të shkuar. 27-vjeçari ishte asistuesi i dy golave të shënuar nga Gurishta dhe Bajrami, duke qenë shumë i saktë në krosimet dhe goditjet standarde të ekzekutuara nga ana e tij.
Ish-futbollisti i Makedonija GP në të shkuarën, po konfirmohet si një nga pikat e forta të formacionit shkodran. Dhe po ashtu duke qenë një nga më të mirët në kampionat në rolin e mbrojtësit të majtë. Pavarësisht se Yago është një personazh për të cilin flitet pak në media, loja dhe niveli i treguar nga ana e tij vlerësohet shumë nga ana e stafit teknik dhe po ashtu tifozëve në Shkodër.
Të cilët tek braziliani shohin një futbollist tek i cili mund të besosh në çdo moment dhe që po ashtu mund të aktivizohet edhe në role të ndryshme në fushën e lojës.
Dhe pavarësisht ardhjes së Hakajt në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit dhe konkurrencës së shtuar, momentalisht Yago duket i paprekshëm në formacionin e shkodranëve. Të cilët tek mëngjërashi shohin një siguri absolute në formacion.(www.shkodrasport.com)