Nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka shënuar 29 gola në pjesën e parë të kampionatit për sezonin 2024-25. Më shumë se shkodranët pas 19 javëve të edicionit ka shënuar vetëm Dinamo, me blutë që kanë gjetur rrjetën 30 herë. Një lojtar në veçanti ka dhënë kontributin më të madh përsa i përket 29 golave të shënuar nga Vllaznia. Fjala është për Esat Malen, që deri në këto momente ka qenë ndër futbollistët më të spikatur në kampionat.

Mesfushori ka qenë pjesëmarrës në 10 prej 29 golave të shënuar nga Vllaznia. Prizrenasi ka gjetur 4 herë golin deri më tani, duke qenë në kuotë të barabartë me Dodajn e duke qëndruar kështu vetëm pas Balajt. Me shtatlartin që ka shënuar 8 gola deri më tani në Superiore. Por kontributi i 26-vjeçarit është shumë i madh edhe për sa i përket asisteve për shokët e ekipit.

Ish-futbollisti i Partizanit ka dhuruar 6 pasime të fundit për gol, duke qenë kështu në këtë statistikë më i miri në kampionat deri në këto momente. Në këtë mënyrë duke dhënë një kontribut shumë të çmueshëm në rezultatet dhe ecurinë e mirë të Vllaznisë këtë sezon. Pas Males tek Vllaznia si lojtari që ka kontribuar në më shumë gola është Balaj.

Sulmuesi dhe kapiteni i ekipit ka dhënë kontribut me 8 gola të shënuar dhe 1 asistim për shokët. E ndërsa treshen e futbollistëve që kanë kontribuar më së shumti e mbyll Dodaj. Me 19-vjeçarin që ka shënuar 4 gola e po ashtu ka asistuar 2 herë për kuqeblutë. Duke treguar realisht që pika e fortë e shkodranëve deri më tani është vija sulmuese që ka udhëhequr ekipin me performancën e tyre./www.shkodrasport.com/